Komisionet parlamentare mbajtën 18 dëgjime publike. 9 nga komisionet nuk kanë mbajtur asnjë dëgjim publik

Sipas Rregullores së punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisionet mund të mbajnë dëgjime publike për të marrë informata për çështjet që janë në shqyrtim e sipër me ekspertë të organizatave publike, të përfaqësuesve të grupeve të interesit dhe të personave tjerë. Me rregullore nuk është i përcaktuar numri i dëgjimeve publike që mund t'i mbajë një komision.

Komisionet parlamentare gjatë këtij viti kanë mbajtur gjithsej 18 dëgjime publike nga të cilat 13 janë mbajtur gjatë sesionit pranveror dhe pesë (5) në sesionin vjeshtor. Komisionet kryesisht mbajnë dëgjime publike lidhur me projektligjet që janë duke i shqyrtuar, në të cilat i ftojnë palët e interesuara për të marrë vërejtjet dhe propozimet e tyre rreth tekstit të projektligjit. Nga 18 dëgjimet e mbajtura, 12 janë mbajtur për të diskutuar për projektligjet që kanë qenë në procedurë në komisionin përkatës ndërsa gjashtë (6) dëgjime janë mbajtur lidhur me monitorimet e zbatimit të ligjeve dhe për tema tjera.

Shikuar në përgjithësi, këtë vit vetëm gjashtë (6) komisione kanë mbajtur dëgjime publike ndërsa nëntë (9) komisione nuk kanë mbajtur ende asnjë dëgjim publik.

Krahasuar me vitin 2015 ku për periudhën kohore janar - tetor, komisionet kanë mbajtur 35 dëgjime publike, këtë vit për periudhën e njejtë kohore janë mbajtur 17 dëgjime më pak.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!