A e dini se çka është “Filibuster”?

“Filibuster” është procedurë parlamentare, ku debati rreth një projektligji të caktuar tej zgjatet me qëllim që të parandalohet votimi i projektligjit apo i një çështje të caktuar që është në rend të ditës për votim. Kjo formë e parandalimit të miratimit të projektligjit arrihet kur një përfaqësues provon ta vonojë procedurën e votimit duke debatuar apo mbajtur fjalime rreth çështjeve të ndryshme për një kohë të gjatë.

Fillet e kësaj teknike janë në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gjatë fundit të shekullit të XIX-të, senatorët kishin të drejtën të flisnin sado që ishte e nevojshme lidhur me një çështje të caktuar. Sidoqoftë, në vitin 1917 u miratua “Rregulli 22” që kufizoi të drejtën e senatorëve për të mbajtur fjalime të gjata. Sipas këtij akti, që njihet ndryshe si “cloture”, 2/3 e senatorëve prezent në mbledhje mund të kërkojnë përfundimin e debatit. Ky rregull u modifikua në vitin 1975 dhe tanimë kërkohen vetëm votat e 3/5 e anëtarëve të zgjedhur për të përfunduar debatin.

Rekordin për “filibuster”-in më të gjatë e mban legjislativi i Koresë Jugore, ku në fillim të vitit 2016, deputetët e opozitës me qëllim të pengimit të një ligji të propozuar nga qeveria, mbajtën fjalime për gjashtë ditë radhazi (mbi 100 orë), pa ndërprerje.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!