05/10/2016
Kuvendi i Kosovës gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka mbajtur vetëm 21 seanca. Përkundër numrit të vogël të seancave, deputetët kanë munguar plot 719 herë. Ky numër i madh i mungesave është kryesisht si rezultat i bojkotit që subjektet politike opozitare i’a bënë punimeve të Kuvendit që nga muaji shkurt. Në muajin mars janë regjistruar më së shumti mungesa apo 133 në 4 seanca. Mesatarisht secili nga 120 deputetët ka munguar rreth 6 herë në sesionin pranveror, ndërsa mesatarisht në secilën seancë (përfshirë vazhdimet) kanë munguar nga 34 deputetë.
Grupi parlamentar i LVV-së prin për nga numri i mungesave në raport me grupet tjera. LVV ka regjistruar 203 mungesa, AAK ka 152 mungesa, pasuar nga NISMA me 110, LDK me 77, PDK me 71, LS 51, deputetët pa grup parlamentar me 46 dhe grupi parlamentar 6+ me 9 mungesa.
Sa i përket mesatares për deputetë, është grupi parlamentar i AAK-së që kryeson me një mesatare prej 19 mungesash për deputet. Pasuar nga NISMA me mesatare prej 18 mungesash për deputet, LVV me 13 mungesa, deputetët pa grup parlamentar me 8 mungesa, ndërsa PDK, LDK dhe 6+ me mesatare prej 2 mungesash për deputet.
Përjashtuar deputetët e opozitës, deputetët me më së shumti mungesa në seanca janë: Jelena Bontič (10), Ramiz Kelmendi (9), Margarita Kadriu-Ukelli (8), Adem Hodža (7) dhe Slobodan Petrovič (7).
Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!