A e dini se si sanksionohen mungesat e deputetëve në Parlamentin e Gjeorgjisë?

Me qëllim të rritjes së përgjegjësisë së deputetëve, Parlamenti i Gjeorgjisë në Rregulloren e tij të Punës ka paraparë masa të rrepta ndëshkuese për mungesat e deputetëve në aktivitetet parlamentare, si seancat plenare apo mbledhjet e komisioneve. Në kapitullin i cili flet për masat ndëshkimore ndaj deputetëve, ka dispozita që parashohin ndëshkime të ndryshme për mungesa në aktivitetet parlamentare, si në seanca plenare, ashtu edhe në mbledhje të komisioneve.

Mungesa e paarsyshme e deputetit në seancë plenare i kushton atij/asaj 10% e pagës mujore. Në rast se një deputet mungon në seancën plenare kur është paraparë që ai/ajo të paraqesë një projektligj në cilësinë e sponsorizuesit, ai/ajo dënohet me 20% të pagës mujore. Evidentimi i pjesëmarrjes së deputetëve bëhet para fillimit të seancës dhe para fillimit të procesit të votimit.

Kurse, sa i përket mbledhjeve të komisioneve parlamentare, nëse deputetët mungojnë tre herë në mbledhjet e komisionit përkatës brenda një muaji, atyre u shqiptohet dënim deri në 50% të pagës mujore.

Masa edhe më të ashpra parashihen në rast të mungesës së kryetarëve të komisioneve, të cilët nëse nuk mbajnë dy mbledhje të komisionit brenda muajit, dënohen deri në dyfishin e pagës së tij/saj.

Sidoqoftë, në bazë të rregullores, parashihet që masat ndëshkuese ndaj deputetëve për mungesa në seanca dhe komisione nuk mund të kalojnë më shumë se 50% të pagës së tyre. 

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!