26/04/2017
Ndër mekanizmat kryesorë nëpërmjet të cilit Kuvendi ushtron rolin e tij mbikëqyrës ndaj Qeverisë, janë interpelancat parlamentare. Interpelancat janë në thelb diskutime mes deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë lidhur me një çështje të caktuar. Interpelancat mund të thirren nga grupet parlamentare apo gjashtë (6) e më shumë deputetë. Ato mund t’i drejtohen vetëm një anëtari të Qeverisë, i cili duhet ta shqyrtojë dhe të kthejë përgjigje brenda shtatë ditësh. Zakonisht, kërkesa për interpelancë shoqërohet me një propozim-mocion që votohet në fund të interpelancës.
Rregullorja e Punës së Kuvendit parasheh që punimet e seancës për shqyrtimin e interpelancës mund të zgjasin deri në tri (3) orë. Në mënyrë që debati të mos tej zgjatet, grupi parlamentar apo deputetët nënshkrues të kërkesës për interpelancë, u jepet kohë prej 10 minutash në fillim të interpelancës dhe 5 minuta në fund të saj. Deputetëve tjerë u ndahet kohë në proporcion me përfaqësimin e grupeve të tyre parlamentare në Kuvend. Në anën tjetër, Kryeministri apo ministri, të cilit i adresohet interpelanca, në fillim paraqet qëndrimin e Qeverisë lidhur me çështjen në fjalë, brenda një periudhe prej 15 minutash.
Debati i interpelancës nuk mund të vazhdojë për një mbledhje tjetër të Kuvendit. Po ashtu, vlen të ceket se interpelanca për një çështje të njëjtë nuk mund të adresohet më shumë se dy herë brenda vitit kalendarik.
Deri më tani, gjatë vitit 2017 janë mbajtur vetëm 3 interpelanca.
Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!