Komisionet parlamentare monitoruan zbatimin e vetëm 5 ligjeve, ndërsa 18 ligje të tjera mbeten pa u monitoruar në sesionin pranveror të këtij viti

Kosova që nga konstituimi i institucioneve të saj e deri sot ka miratuar 647 ligje ndërsa në fuqi janë 407, mirëpo zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të cilësohet problematik. Komisionet parlamentare kanë për detyrë të mbikëqyrin zbatimin e ligjeve. Nga 15 komisione parlamentare, 11 prej tyre në planin e punës për sesionin pranveror 2016 kanë paraparë të monitorojnë zbatimin e ligjeve brenda fushëveprimit të tyre. Nga këto 11 komisione, 23 ligje që janë në fuqi janë paraparë të monitorohen sesa po zbatohen në praktikë. Prej tyre janë monitoruar vetëm 5 ligje, çka nënkupton se kanë mbetur edhe 18 ligje pa u monitoruar, e që do të duhej të monitoroheshin brenda këtij sesioni.

Komisionet që kanë monitoruar ligjet e parapara me planin e tyre të punës janë:

- Komisioni për Integrime Evropiane –  një ligj të monitoruar nga dy sa janë paraparë në planin e punës së këtij komisioni; Ligji i monitoruar është Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale;
- Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim – një ligj të monitoruar nga tri ligje të parapara. Ligji i - Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport – një ligj i monitoruar nga dy sa janë paraparë të monitorohen. Ligji i monitoruar është Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës;
-  Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor – një ligj i monitoruar nga dy të paraparë. Ligji i monitoruar nga ky komision është Ligji për Inspekcionin Bujqësor;
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione – një ligj të monitoruar i cili ka qenë i vetmi ligj i paraparë të monitorohet. Ligji i monitoruar është Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Nga 11 komisione, 6 prej tyre nuk kanë mbikëqyrur zbatimin e asnjë ligji nga ato që i kanë paraparë në planin e tyre të punës. Këto komisione janë: Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e AKK-së; Komisioni për Buxhet dhe Financa; Komisioni për Punë të Jashtme; Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri; Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media; dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Inteligjencë.

Ndërsa 4 komisione tjera nuk kanë përfshirë në planin e punës mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Këto komisione janë: Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike; Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Komisioni për MSA-në; dhe Nën-komisioni për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit.

 

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!