Kush më lojal?

Mandati i deputetit është i pavarur dhe nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues. Përkundër kësaj norme kushtetuese, ndikimi i subjekteve politike, më saktësisht i liderëve partiak, është përcaktues në votimet e deputetëve në Kuvend. Në platformën VotaIme.org kemi bërë matjen e lojalitetit të deputetëve, duke i krahasuar votimet e deputetëve me qëndrimet e grupeve të tyre parlamentare. Nëse votimi i deputetit/es është i ndryshëm nga deklarimi i grupit parlamentar, atëherë ai votim është cilësuar si rebel. Në Infografiken e muajit mars kemi paraqitur lojalitetin e deputetëve sipas grupeve parlamentare, ndërsa tani po sjellim një Fakt javor për lojalitetin e deputetëve sipas gjinisë. 

Nga 120 deputetët e legjislaturës së V-të të Kuvendit, 39 prej tyre janë gra ndërsa 81 janë burra. Nga matja e lojalitetit në bazë të gjinisë del që burrat dhe gratë deputete në Kuvendin e Kosovës kanë të njëjtin nivel të lojalitetit 93%. Përkundër përqindjes së lartë të lojalitetit të të dyja gjinive, niveli i barabartë i lojalitetit është një tregues që thyen paragjykimet për një lojalitet më të madh të mundshëm të grave deputete ndaj grupeve të tyre parlamentare sesa deputetët burra. Për më tepër, nëse shikohet lojaliteti brenda grupeve parlamentare, atëherë shohim se deputetet gra të LVV-së dhe LDK-së janë më rebele në krahasim më deputetët burra të këtyre dy grupeve parlamentare.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!