Të ndalohet praktika e miratimit të buxhetit të shtetit me procedura të përshpejtuara

Një nga kompetencat e Kuvendit e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës është miratimi i Buxhetit të Republikës së Kosovës. Sipas procedurave ligjore, Qeveria e Kosovës pasi të miratoj projektligjin për Buxhetin e Kosovës për një vit fiskal është e obliguar t’ia dorëzoj atë Kuvendit jo më larg se 31 tetor të vitit aktual. Ndërsa Kuvendi ka afat që t’i jap miratimin përfundimtar deri në fund të muajit dhjetor. Komisioni funksional që angazhohet për shqyrtimi të këtij projektligji ka afat dy muaj që t’i paraqes Kuvendit raportin me rekomandime.

Projektbuxhetet për vitin 2015 dhe 2016 janë miratuar me procedura të përshpejtuara. Projektbuxheti për vitin 2015 është miratuar brenda një periudhë kohore prej pesë ditësh kurse projektbuxheti për vitin 2016 është miratuar brenda tri javësh. Duhet theksuar që projektbuxheti për vitin 2016 përveç miratimit me procedura të përshpejtuar, është bërë pa praninë e opozitës e për më tepër në një sallë të improvizuar të Kuvendit.

Legjislaturat e fundit të Kuvendit kanë kthyer në praktikë miratimin dhe rishikimin e buxhetit me procedurë të përshpejtuar, duke mos lënë hapësirë që ky projektligj t’i nënshtrohet një debati konstruktiv parlamentar dhe konsultimeve të nevojshme me publikun. Duke marrë parasysh që me anë të këtij ligj përcaktohet plani i shpenzimeve të buxhetit të shtetit për një vit fiskal, kjo formë e miratimit me nguti krijon mundësinë për planfikim jo të duhur buxhetor i cili do të duhej të reflektonte nevojat e qytetarëve. Është më se e nevojshme që miratimi i projektbuxhetit të bëhet brenda afateve të përcaktuar me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, njëkohësisht t’i nënshtrohet një debati parlamentar të mirëfillët dhe të mirren parasysh kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!