Pyetjet drejtuar deputetit Vjosa Osmani-Sadriu

  • 27/03/2017 Pyet: Genta Berisha Pejë

    Ju përveç punës në Kuvend njiheni edhe si juriste e shquar. Meqenëse shumë çështje të karakterit politik do të mund të zgjidheshin përmes të drejtës në referendum (pra përmes procesit të demokracisë direkte), Referendumi do të mund të zgjidhte shumë çështje edhe në Kosovë për të cilat nuk po arrihet pajtim mes spektrit politik. Pyetja ime është: meqë ju jeni juriste dhe njëkohësisht edhe politikane, përse qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë në Referendum?

     

  • 25/03/2017 Pyet: Mustafe Ismajli Skenderaj

    Ju jeni deputetja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, përderisa së fundmi në një intervistë në Klan Kosova dëgjuam se jeni përjashtuar nga gjitha forumet partiake të LDK-së. Me sa jam në dijeni, ju gjithashtu jeni përjashtuar nga gjitha pozitat në Kuvend, pra nuk keni asnjë pozitë udhëheqëse as në Kuvend edhe pse jeni deputetja e pestë më e votuar në atë Kuvend. Sa ndikojnë këto fakte në kryerjen e punës dhe vendimmarrjen politike, duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e qytetarëve ju kanë besuar votën?

  • 14/03/2017 Pyet: Bulëza Bajrami Prishtinë

    Çfarë keni ndërmarrë për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit (1999) dhe çfarë pozite kanë ato aktualisht në shoqërinë tonë?

    24/03/2017 Pas 10 ditëve

    Në mandatin e kaluar është inicuar dhe miratuar ndryshimi i Ligjit që mbulon kategoritë e dala nga lufta në mënyrë që të përfshinte të drejta edhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Gjatë trajtimit të atij projektligji, fatkeqësisht, kishte kundershti nga disa parti e disa deputetë. Personalisht kam qenë përkrahëse e madhe e atij ligji dhe kam diskutuar në Kuvend lidhur me arsyet për të cilat ligji do të duhej të miratohej. Nëse Kuvendi do të kundërshtonte përfshirjen e kësaj kategorie në ligj, kjo do të paraqiste jo vetëm kundërshtim të normave ndërkombëtare për të cilat Kosova është zotuar në kushtetutë, por edhe një krim të dytë mbi këto viktima të këtij krimi ndaj njerëzimit. Fatmirësisht ligji kaloi, por që nga atëherë Qeveria ka lëvizur shumë ngadalë për të miratuar aktet e nevojshme nënligjore dhe për të krijuar komisionet që do të punonin në realizimin e të drejtave që dalin nga ligji. Së fundi, jemi njoftuar që ka filluar një komision që do të bëjë verifikimin e të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, dhe është detyrë e deputetëve që të mbikëqyrin këtë proces në mënyrë që mos të lejohet shkelje e mëtejme e të drejtave të viktimave. Fatkeqësisht, kjo kategori ka qenë jashtëzakonisht shumë e diskriminuar jo vetëm nga institucionet, por nga e gjithë shoqëria, dhe të gjithë duhet të luftojmë mentalitetin primitiv i cili e fajëson viktimën, e jo agresorin. Është detyrë pra jo vetëm e institucioneve, por e secilit qytetar (në veçanti e gjeneratës së re) që të trajtojë këto viktima si të barabarta në shoqëri dhe të njeh vuajtjet dhe të drejtat e tyre duke mos i stigmatizuar.

  • 29/12/2016 Pyet: skender Prishtinë Pyetje per dialogun

    Pse duhet të negociohet me Serbinë për shpërbërjen e strukturave paralele kur dihet që me marrëveshjen e Kumanovës të gjitha institucionet e Serbisë duhet të largohen nga teritori i Kosovës?A duhet të kërkohet përgjegjësi edhe nga KFOR për mos zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë?

    24/03/2017 Pas 84 ditëve

    Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999 ka përfshirë detaje lidhur me tërheqjen e forcave serbe të sigurisë nga i gjithë territori i Kosovës, mirëpo nuk ka trajtuar çështjen e të gjitha strukturave paralele që pastaj Serbia i ka vendosur dhe financuar në veri. Siç e dini, këto struktura paralele nuk kanë qenë vetëm ushtarake apo policore, por shumë prej tyre janë pjesë e gjykatave, spitalit e shtëpive të shëndetit, administrata dhe çdo strukturë tjetër që ka vepruar ilegalisht në veri. Në dialogun e Brukselit është diskutuar shuarja e këtyre strukturave dhe ndërprerja e financimit të tyre nga ana e Serbisë. Nuk shoh asgjë të keqe nëse personat që punojnë në administratë, shëndetesi, arsim apo fusha të ngjashme të perfshihen dhe integrohen në sistemin e Republikës së Kosovës e rrjedhimisht edhe në buxhetin e shtetit tonë. Për mua mbetet shqetësues procesi i verifikimit të strukturave të sigurisë të cilat nga puna ilegale në veri kundër sovranitetit të Kosovës, për një periudhë të shkurtër përfshihen në institucionet e sigurisë së Kosovës dhe pritet nga po të njëjtit lojalitet ndaj Republikës së Kosovës. Kjo është në veçanti shqetësuese nëse këta persona punësohen në sektorë ku trajtohen informacione të ndjeshme të sigurisë dhe inteligjencës. Megjithatë, përkundër marrëveshjeve të arritura, ka ngecje të mëdha në shuarjen e këtyre strukturave ilegale dhe Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për të hapur çështje të tjera sepse duarshtrëngimet në mes politikanësh nuk kanë asnjë vlerë nëse çështjet e trajtuara në marrëveshje mbesin të paadresuara në praktikë dhe Serbia nuk zbaton obligimet e saj.

  • 01/12/2016 Pyet: Gresa Mitrovicë

    Përshëndetje znj. Osmani-Sadriu, meqenëse ju vini nga qyteti i Mitrovicës, konsideroj dhe besoj që çështjet që ndërlidhen me interesin e përgjithshëm të gjithë qytetarëve, do t'i adresoni në Kuvend dua të ju parashtroj pyetjen si në vijim: Prej gjithë fitimit që ka shteti i Kosovës nga Miniera Trepça, sa përqind e këtij buxheti, ndahet për qyetetin e Mitrovices, duke ditur se jo vetëm territorialisht gjendet në Mitrovicë, mirëpo prezenca e saj ka edhe shumë efekte negative (ndotja e lumenjëve, ambientit etj). A ekziston mundësia që Komuna e Mitrovicës të ketë prioritet në përftimin e buxhetit duke e ditur rëndësinë që ka si ndërmarrje? Faleminderit paraprakisht!

    24/03/2017 Pas 112 ditëve

    Qyteti i Mitrovicës patjeter duhet të trajtohet si i veçantë në çdo ndarje buxhetore, dhe jo vetëm për shkak se në këtë qytet gjindet Trepça, por edhe për shkak të sfidave të sigurisë dhe integrimit me të cilat përballet ky qytet që kanë rezultuar në një shkallë tepër të lartë të papunësisë. Fatkeqësisht, për shkak të tensioneve që nga paslufta shumë investitorë nuk e kanë parë këtë qytet si vend të përshtatshëm. Është me rëndësi që të ndryshohet ky perceptim dhe kjo deri në një masë varet edhe nga puna e pushtetit komunal. Mirëpo, ajo çka kam propozuar vazhdimisht është që zhvillimi i Mitrovicës mos të varet vetëm nga shuma që i ndahet nga buxheti i Kosovës, por Qeveria t'a ketë këtë qytet prioritet në projektet që i propozon për përkrahje në Bashkimin Evropian (projektet IPA2). Për shembull, Irlanda e Veriut vazhdimisht ka përfituar miliona euro si projekte zhvillimore për qytete ku ka qenë i nevojshëm integrimi i komuniteteve dhe Kosova mund të kërkojë që projekte të ngjashme të adresohen edhe në Mitrovicë. Kjo do të ndihmonte në zbutjen e papunësisë dhe krijimin e mundësive sidomos për gjeneratën e re. Sa i përket shifrës së saktë të buxhetit nga fitimi i Trepçës që ndahet për Mitrovicën, do t'ju shkruaj sapo të marr përgjigjen konkrete nga ministritë përkatëse.