Pyetjet drejtuar deputetit Agim Aliu

  • 07/11/2015 Pyet: Labinot Ferizaj

    Cili është roli juaj në mbylljen e procesit të padrejtë, ndaj ish punëtoreve të fabrikës se tubave në Ferizaj?

    10/11/2015 Pas 2 ditëve

    Çështja e 912 ish-punëtoreve të Fabrikës së Tubave nga Ferizaj është e veçantë për mua së paku nga dy këndvështrime: E para, mendoj se rasti i tyre është unik dhe shembull i ushtrimit respektivisht i luftës për një të drejtë. E dyta, shembulli i tyre ka treguar respektivisht ka sforcuar edhe me shumë bindjen se sa të brishta apo jokonsistente i kemi institucionet tona për t'u vë në finalizim një e drejtë por dhe çështje të tjera.

    Fillimisht dua te them që jo vetëm unë por dhe të gjithë kolegët tjerë deputetë nga Ferizaj, kemi qenë unikë në trajtimin e kësaj çështje. Personalisht me këtë çështje jam marrë që nga koha kur kam qenë kryetar i Komunës së Ferizajt dhe jam munduar që të jap kontributin tim në të gjitha nivelet duke përfshirë edhe angazhimin me Qeverinë e Republikës ku asokohe ishte kryeministër z. Thaçi, por që fatkeqësisht nuk përfundoi me sukses për shkak të disa ngatërresave që në ndërkohe paraqiti z. Enver Hasani si kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Kur u sqaruan disa nga këto dhe pasuan disa vendime të Kuvendit të Republikës, ku u obligua AKP-ja për ekzekutim të këtyre vendimeve, Bordi i AKP-së mbeti me mungesë kuorumi dhe pa anëtarë të mjaftueshëm të saj, gjë që kjo situatë e Bordit të AKP-së fatkeqësisht është edhe sot.

    Më pas u bënë zgjedhjet që edhe më shumë stërzgjaten ketë çështje duke pasur parasysh edhe bllokadën disamujore të Kuvendit. Pas fillimit të punës së Kuvendit jam takuar disa herë me ish punëtoret dhe sindikatat e tyre në takime dhe vende të ndryshme, qoftë në Kuvend të Komunës apo të Republikës ku në disa prej tyre kanë marrë pjesë edhe kolegët tjerë nga Ferizaj. Në këto takime jemi akorduar së bashku për shkresat dhe ngritjen e problemit në seanca plenare të Kuvendit, ku sipas marrëveshjes njeri nga kolegët tanë nga Ferizaj e paraqiste çështjen në emër të të gjithë neve. Këtë çështje e kam ngritur edhe në komisionin të cilit i takoj. Mirëpo është për të ardhur keq që përkundër unitetit ferizajas të shprehur me këtë rast por dhe mbështetjes nga Kuvendi kjo ende ka mbetur si çështje e pazgjidhur për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve tona, sepse është e pakuptimtë që edhe pas gjithë kësaj kohe ka mbetur pa u funksionalizuar Bordi i AKP-së nga ana e qeverise sonë që sigurisht do t’i jepte rrugëzgjidhje çështjes së ish punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj.  Ne do te vazhdojmë të mbështesim kërkesat e tyre duke shpresuar në fundin pozitiv dhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje.