I nderuari deputet i Kuvendit të Kosovës, pasi që deri tash nuk ishin edhe aq frutdhënëse metodat që keni përdorur ju si opozitë, cilat janë metodat tjera që mund të ndërrmirren për parandalimin e së keqës në Kosovë përveç molotovëve dhe gazit lotsjellës?
I nderuar deputet, pasiqë në vazhdimësi keni kundërshtuar ritmin me të cilin po zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi nga ana e qeverisë aktuale të Kosovës, pyetja ime si qytetare e Republikës së Kosovë është se në bazë të cilave parime ju po të ishit në pozitë do të zhvillonit një dialog të kësaj përmase,dhe sa do të ishte efektive dialogu në bazë të parimeve tuaja në zgjidhjen e këtij problemi të kahmotëshëm?
Pse duhet të negociohet me Serbinë për shpërbërjen e strukturave paralele kur dihet që me marrëveshjen e Kumanovës të gjitha institucionet e Serbisë duhet të largohen nga teritori i Kosovës?A duhet të kërkohet përgjegjësi edhe nga KFOR për mos zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë?
I nderuar deputet, pse nuk merrni pjesë në takimet e presidentit për reformë zgjedhore, a duhet të ketë reformë zgjedhore tani dhe cilat janë qëndrimet e juaja lidhur me reformën zgjedhore?
Zgjedhjet e lira dhe të drejta në Kosovë janë cënuar në të kaluarën, veçmas në 2010 nga mungesa e administrimit të mirë dhe ndërhyrja e organizuar në proces për të manipuluar e vjedhur votat në mënyrë industriale. Edhe në të ardhmen, zgjedhjet e lira do të varen para së gjithash nga administrimi i mirë dhe pamundësimi i manipuluesve dhe keqpërdoruesve të votave e veçmas mbrojtja nga çdo ndikim në vullnetin e qytetarëve përmes klientelizmit të hapur e të fshehur në cilëndo fazë të zgjedhjeve. Çdo herë e më shumë klientelizmi politik po i zhvleftëson zgjedhjet e lira, duke pamundësuar politikën e mirëfilltë si aktivitet shoqëror, duke zëvendësuar idetë, konceptet, programet e alternativat politike me transaksione të dyshimta, para dore, tendere, punësime jomeritore në sektorin publik, subvencione të ndryshme, e deri te shpërndarja e miellit e pakove ushqimore e shlyerja e “veresive” në shitoren e fshatit gjatë fushatave parazgjedhore. Rrjedhimisht, cënimi i integritetit të zgjedhjeve nuk ka qenë pasojë e mungesës së ligjit, e aq më pak pasojë e sistemit zgjedhor, por e mosrespektimit dhe moszbatimit të tij, edhepse ligji aktual do të mund të përmirësohej, sidomos në drejtim të lehtësimit të votimit për mërgatën e përjashtuar thuajse aktualisht, listën e votuesve, por edhe në mënyrën e numërimit të votave. Mirëpo një gjë e tillë nuk mund të bëhet nga kjo legjislaturë, e sidomos nuk mund të iniciohet e të bëhet nga protagonistët e njëjtë që, jo vetëm janë përgjegjësit kryesorë të deformimit të zgjedhjeve në vitin 2010, instalimit të klientelizmit të hapur në procese zgjedhore, por janë po të njëjtit që më 2010 e kishin nisur procesin e reformës zgjedhore dhe pas afërsisht tre vitesh diskutimesh e shqyrtimesh, shpenzime të mëdha të parasë publike e maltretim edhe të qytetarëve, e kishin dështuar draftligjin, duke e miratuar vetëm në lexim të parë, por e çuan vendin në zgjedhje të parakohshme të 2014-s me ligjin e vjetër.
Përcaktimi për reformë zgjedhore duhet të jetë rezultat i një përzgjedhje të vetëdijshme e bazuar në synime të qarta dhe të drejta të spektrit politik, qytetarëve votues, shoqërisë civile dhe shoqërisë në përgjithësi. Por, mbi të gjitha, duhet të jetë një ndërmarrje në një mjedis politik të shtendosur në mes popullit dhe Qeverisë, çka nuk ekziston aktualisht në Kosovë dhe e cila duhet të jetë tërësisht në funksion të mbrojtjes së paprekshmërisë së vullnetit të votuesve dhe pritjeve të tyre, e kurrsesi të përdoret kinse reforma zgjedhore për të konsoliduar pushtetin autoritar të individëve të caktuar e për të legjitimuar zgjedhjen dhe sundimin e tyre jolegjitim, siç është zgjedhja e të ashtuquajturit President i Republikës, i cili në vend të unitetit të popullit, përfaqëson përçarjen e tij, në vend të mbrojtjes së Republikës, simbolizon zvetënimin e saj, në vend të garantimit të institucioneve të pavarura, ngërthen si asnjë tjetër kapjen dhe uzurpimin e çdo institucioni të pavarur. Prandaj, tash kur qeveria e institucionet e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin pas projekteve antishtetërore të kësaj qeverie, duke sjellë kështu tensionim si kurrë më parë në mes qeverisë e popullit, nuk është koha për reforma por për zgjedhje! Po ashtu, në një kohë kur shteti është bërë një me pushtetin dhe institucionet që do të duhej të ishin të pavarura janë mbërthyer nga pushteti, e ashtuquajtura reformë zgjedhore krejt çfarë pretendon është përmbushja e interesave personale për pushtet të pakufizuar të individëve të caktuar, në dëm dhe në kurriz të interesave të njëmenda të qytetarëve dhe të vetë Republikës.
Në një situatë të tillë, në të cilën ndodhet Republika e Kosovës, vetëm zgjedhjet e reja, po të mbaheshin të ndershme, do të prodhonin legjitimitet për institucionet dhe mbi të gjitha do të sillnin mundësinë për ndryshim që aq shumë i duhet Kosovës dhe qytetarëve, si dhe vetëm një legjislaturë e re e dalur nga zgjedhje të lira do të kishte mundësinë dhe vullnetin për të shqyrtuar po qe nevoja edhe ligjin për zgjedhje. Sepse, sot, nuk i ka fajet ligji, por Maliqi!