A keni dijeni se kur do të rregullohet rruga Pogragj – Doberçan? Edhe pse kjo është në përgjegjësi të komunës, por po ju parashtrojë këtë pyetje pasi ka qenë edhe premtim i juaji zgjedhor.
Lidhur me rregullimin e rrugës Pogragjë-Dobërçan, në fillim të këtij viti kishim një takim me kryetarin e këshillit të fshatit Dobërçan nga i cili është kërkuar që së bashku me këshillin e Pogragjës të kërkojnë nga drejtoria komunale hartimin e projektit për rrugën, si dhe vendimin nga komuna për bashkëfinancim të projektit me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që pastaj të ndahen mjetet nga Kuvendi i Kosovës. Prandaj, vetëm në mungesë të projektit dhe kërkesës për vitin 2016, unë edhe pse jam interesuar gjatë debatit në Kuvend kjo nuk ka mundur të realizohet. Nëse gjatë vitit tjetër e ofroni projektin e kompletuar në kohën e duhur i njëjti mund të procedohet për vitin 2017.
Jemi të hutuar dhe nuk dimë kujt t’i besojmë në lidhje me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. A është e vërtetë që krijimi i këtij asociacioni prek kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës?
A e keni ngritur zërin për kompletimin sa me të shpejt të bordeve të ndërmarrjeve publike të Gjakovës, kur dihet shumë mirë çfarë rëndësie kanë për komunën e Gjakovës?
Këtë e kam bërë disa herë në Kuvend, në intervista, në mjete të informimit dhe në dy konferenca për shtyp, por si çdo herë Qeveria deri sa nuk i bëjnë pazaret politike nuk mund ti formojmë bordet. Siç edhe jeni të informuar të gjitha bordet janë me zyrtar politik dhe jo profesionist, gjë që po ndikon negativisht në zhvillim e këtyre ndërmarrjeve.
Si e shihni marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, dhe atë për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe? Si do të votonit në rast se këto dy marrëveshje vijnë në Kuvend?
Cili është roli juaj në mbylljen e procesit të padrejtë, ndaj ish punëtoreve të fabrikës se tubave në Ferizaj?
Çështja e 912 ish-punëtoreve të Fabrikës së Tubave nga Ferizaj është e veçantë për mua së paku nga dy këndvështrime: E para, mendoj se rasti i tyre është unik dhe shembull i ushtrimit respektivisht i luftës për një të drejtë. E dyta, shembulli i tyre ka treguar respektivisht ka sforcuar edhe me shumë bindjen se sa të brishta apo jokonsistente i kemi institucionet tona për t'u vë në finalizim një e drejtë por dhe çështje të tjera.
Fillimisht dua te them që jo vetëm unë por dhe të gjithë kolegët tjerë deputetë nga Ferizaj, kemi qenë unikë në trajtimin e kësaj çështje. Personalisht me këtë çështje jam marrë që nga koha kur kam qenë kryetar i Komunës së Ferizajt dhe jam munduar që të jap kontributin tim në të gjitha nivelet duke përfshirë edhe angazhimin me Qeverinë e Republikës ku asokohe ishte kryeministër z. Thaçi, por që fatkeqësisht nuk përfundoi me sukses për shkak të disa ngatërresave që në ndërkohe paraqiti z. Enver Hasani si kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Kur u sqaruan disa nga këto dhe pasuan disa vendime të Kuvendit të Republikës, ku u obligua AKP-ja për ekzekutim të këtyre vendimeve, Bordi i AKP-së mbeti me mungesë kuorumi dhe pa anëtarë të mjaftueshëm të saj, gjë që kjo situatë e Bordit të AKP-së fatkeqësisht është edhe sot.
Më pas u bënë zgjedhjet që edhe më shumë stërzgjaten ketë çështje duke pasur parasysh edhe bllokadën disamujore të Kuvendit. Pas fillimit të punës së Kuvendit jam takuar disa herë me ish punëtoret dhe sindikatat e tyre në takime dhe vende të ndryshme, qoftë në Kuvend të Komunës apo të Republikës ku në disa prej tyre kanë marrë pjesë edhe kolegët tjerë nga Ferizaj. Në këto takime jemi akorduar së bashku për shkresat dhe ngritjen e problemit në seanca plenare të Kuvendit, ku sipas marrëveshjes njeri nga kolegët tanë nga Ferizaj e paraqiste çështjen në emër të të gjithë neve. Këtë çështje e kam ngritur edhe në komisionin të cilit i takoj. Mirëpo është për të ardhur keq që përkundër unitetit ferizajas të shprehur me këtë rast por dhe mbështetjes nga Kuvendi kjo ende ka mbetur si çështje e pazgjidhur për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve tona, sepse është e pakuptimtë që edhe pas gjithë kësaj kohe ka mbetur pa u funksionalizuar Bordi i AKP-së nga ana e qeverise sonë që sigurisht do t’i jepte rrugëzgjidhje çështjes së ish punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj. Ne do te vazhdojmë të mbështesim kërkesat e tyre duke shpresuar në fundin pozitiv dhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje.
Ku e sheh Armendi LDK-në pas një viti, duke e ditur se procese të mëdha e presin vendin në muajt e ardhshëm, dhe pyetje që tashmë dihet për të gjithë deputetët e LDK-së, a do ta votosh Thaçin për President?
LDK është subjekt parlamentar mbi të gjitha është parti institucionale me filozofi të trashëguar nga themeluesi presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, andaj pavarësisht zhvillimeve vjetore LDK mbetet subjekt politik serioz dhe me një rrugëtim të qartë në angazhimin e saj për zhvillimin dhe avancimin e vendit tonë. Sigurisht që viti 2016 do jetë një vite ku LDK do avancon reformat e brendshme si kërkese e elektoratit dhe shumë strukturave të brendshme. Puna dhe angazhimi qoftë parlamentar qoftë i aktivitetit politik mbetet primar në kuadër të zhvillimeve që ka LDK-ja.
Votat dhe deklarimet në kuvend janë publike për çdo deputet të kuvendit, andaj ju ftoj të përcillni aktivitetet dhe qëndrimet e çdo deputeti të LDK-së në punën e tyre.
Kur do të miratohet ligji për personat me aftësi të kufizuara?
Projektligji për Paraplegjikët dhe Tetraplegjikët është planifikuar në seancën e radhës, ku do të bëhet leximi i parë.